I ftuar në emisionin “Terminal” me gazetaren Aurora Sulçe, ish-prokurori Ervin Karanxha, duke folur në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur së fundmi në vend, u shpreh se mungesa e funksionimit të duhur të organeve të drejtësisë dhe zvarritja e proceseve gjyqësore kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës.
Sipas tij, problemet e akumuluara ndër vite, veçanërisht në çështjet e pronësisë dhe konfliktet e pazgjidhura, në disa raste kanë përfunduar në ngjarje të rënda kriminale.
“Duhet të funksionojnë organet e ndjekjes penale. Personat që ndiqen penalisht duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen, sepse nëse kjo nuk ndodh, ngjarjet shkojnë deri në vrasje”, u shpreh ish-prokurori.
Duke iu referuar reformës në drejtësi, Karanxha ngriti pikëpyetje mbi rezultatet e saj, duke thënë se qytetarët ende përballen me vonesa të gjata në proceset gjyqësore.
“Për çfarë u bënë reformat? Po na mbeten reformat dhe gjithçka tjetër po na mbetet propagandë. E vërteta është krejt ndryshe”, deklaroi ai. (A2 Televizion)