
Ka nisur në Gjykatën e Posaçme seanca në ngarkim të kreut të PD Sali Berisha dhe të bashkpandehurve të tjerë, në lidhje me dosjen "Partizani".
Gjykata pasi ka dëgjuar kërkesën për prova të palëve, ka vendosur të pranojë provat shkresore, po ashtu pyetjen si dëshmitarë të atyre që janë listuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Në listën e dëshmitarëve në gjyqin e Berishës do të jetë edhe Edi Rama, pasi u pranua kërkesa e mbrojtjes për pyetjen e kryeministrit, raporton A2CNN.
Dëshmitar në proces do të jetë edhe deputeti socialist Taulant Balla, i cili është kallëzues në dosjen "Partizani".
Kujtojmë që kryedemokrati Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi vazhdimisht kanë kërkuar thirrjen si dëshmitar të kreut të qeverisë Rama.
Ata pretendojnë se Rama ka përgjegjësi në lidhje me lejet e ndërtimit të dhëna te klubi "Partizani" gjatë kohës që ai ishte kryebashkiak i Tiranës. (A2 Televizion)