
Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe të 29 të pandehurve të tjerë. Veliaj nuk është i pranishëm në seancë, ku nuk ka një deklaratë të ardhur prej tij që të bëjë me dije arsyet e mos prezencës.
Drejtoria e burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e Veliajt dhe po ashtu nuk ka vënë në dispozicion gjykatës deklaratën e tij.
Të pranishëm në GJKKO janë dy prokurorët e çështjes Olsi Dado dhe Altin Dumani. Po ashtu është parë të hyjë në GJKKO edhe avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, raporton A2CNN.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në "arrest me burg" që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia e Tiranës.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. (A2 Televizion)