
Ka dështuar sërish seanca ndaj Erion Veliaj në GJKKO, ndërsa seanca e radhës ndaj kryebashkiakut do të zhvillohet në 27 prill, ora 12:00, raporton gazetari Armand Bajrami.
Gjatë seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca ngriti shqetësimin për mungesën e njoftimit të të pandehurit dhe vijimin e procesit në këto kushte.
“Së pari ju duhet të garantoni të drejtën e çdo të pandehuri për t’u njoftuar dhe po ashtu fakti që zoti Veliaj nuk e ka shprehur vullnetin e tij nëse do të marrë pjesë në seancën e sotme. Mendoj që nuk mund të vijojë gjykimi. Ndërsa për sa u përket 24 fashikujve që ju si gjykatë theksoni që janë fashikuj që lidhen me njoftimin e akuzës, për të pandehurit e tjerë. Ne kërkojmë çdo fashikull se janë të pandehur në një procedim të lidhur.”
Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se problemi lidhet me moszbatimin e urdhrit të gjykatës për njoftimin e të pandehurit.
“Marr në konsideratë rrethana e relatuar, i pandehur nuk është njoftuar, përpos faktit që gjykata ka urdhëruar njoftimin e tij. Na rezulton se Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës. Po ashtu duhet të mësohet se përse Drejtoria e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës sepse nuk është hera e parë dhe mos njoftimi i të pandehurit po bëhet shkak për shtyrjen e seancës. Nëse ju si gjykatë vendosni të shtyni seancën ju kërkojmë që të caktoni një datë sa më të shpejtë.”
Gjykata, pasi u konsultua në vend, sqaroi se konstatohet që urdhri i saj nuk është zbatuar nga Drejtoria e Burgjeve.
“Sipas gjykatës kjo gjë duhet të sqarohet. Ndërkohë për të pandehurin Erion Veliaj nuk është paraqitur në asnjë seancë, por duke qenë se jemi në kushtet e moszbatimit të urdhrit të gjykatës nga burgjet. Gjykata e çmon të nevojshme se nga ana e Drejtorisë së Burgjeve është detyrimi të sqarojë trupin gjykues pse nuk ka zbatuar urdhrin e saj.” (A2 Televizion)