Një mesazh i thjeshtë dhe i koduar i gjetur në një prej telefonave të sekuestruar gjatë një operacioni të zhvilluar në dhjetor për trafik armësh, zbuloi grupin tjetër kriminal që policia goditi pak ditë më parë po për armë, me 10 të prangosur dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.
Indicia që grupi hetimor siguroi nga bisedat mes dy të rinjve bazohej mbi mënyrën se si ata siguronin armët nga Kosova, për cilësinë që ato kishin, si edhe rrugët e trafikut ne vendin tonë.
“Në total gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, Policia e Tiranës ka sekuestruar 29 armë zjarri, 5 prej të cilave automatikë dhe pjesa tjetër pistoleta. Po gjatë kësaj periudhe janë arrestuar dhe ndaluar 21 persona, pjesa më e madhe e tyre nuk akuzohen vetëm për armëmbajtje pa leje, por edhe për trafik armësh”.
Sipas burimeve, pjesa më e madhe e të arrestuarve gjatë këtij viti kanë vepruar si një grup kriminal për të trafikuar armë drejt Shqipërisë. Rolet e tyre ishin të ndara. Persona që siguronin kontakte me poseduesit e armëve, e më pas ata që merrnin përsipër transportin e tyre me makina personale, të rastit, e me linja të autobusëve. Kryesisht ata janë të moshave të reja, deri në 35 vjeç.
Në operacionin e fundit ku u sekuestruan 14 armë, për të faktuar aktivitetin e jashtëligjshëm, u veprua me vëzhgime në terren, si dhe blerje me agjentë të infiltruar. (A2 Televizion)