“Nuk jam në gjendje të flas, jam në ankth”. Me këto fjalë adoleshenti me iniciale B. D., i cili goditi me thikë shokun e klasës, në ambientet e brendshme të gjimnazit “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit, refuzoi të flasë në seancën e sotme të masës së sigurisë.
Gjykata e Fierit vendosi masën e arrestit me burg për 17-vjeçarin, ndërsa avokati i tij kërkoi masën e arrestit në shtëpi.
Mbi të rëndon akuza “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes në ambientet e brendshme të gjimnazit “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit, ku adoleshenti B. D., goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes.
Sipas dëshmisë së të plagosurit Ydo Xhafa, konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale. Ndërsa sot pritej që autori të dëshmonte për të zbardhur më shumë detaje nga kjo ngjarje e rëndë, që shtoi edhe më tepër shqetësimin për gjendjen e sigurisë në institucionet arsimore, kjo nuk ndodhi.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto ai mua, familjes sime dhe shokëve të mi, gjithashtu dhe familjeve të atyre dhe që i kishte postuar në një rrjet social dhe i hidhte fotot në telefonat e shokëve të tij. Ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Dhjetë minuta para se të futeshim në mësim, ai ishte te korridori i klasës, ne vemi lart dhe e kapim për pjesën e fotove dhe i themi e sqarojmë si muhabet, nëse ke foto të familjarëve të mi dhe shokëve të mi mund ti fshish dhe e mbyllim këtë muhabet këtu. Ai tha jo, telefoni është personal dhe pastaj u agravua nga pyetjet e shumta që po i bënim unë dhe disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Thjesht u shmanga, u futa brenda në klasë, mbylla derën. Fatkeqësisht nuk e mbaja dot derën nga ana e shpatullës dhe hapi derën. E hapi sërish me thikë në dorë. Në ato momente vjen presorja dhe më shpëtoi nga ai djali”, tregoi nga spitali 17-vjeçari i plagosur. (A2 Televizion)