Mediat greke kanë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve që në mesditë ranë pre një atentati mafioz në zonën e Thrakomakedones. Raportohet se viktima është identifikuar si Irakli Davella (45 vjeç). Ai është pronari i një biznesi që ndodhet në lagjen Peristeri të Athinës.
Autorët duket se e kanë ndjekur viktimën e tyre, ndërsa policia po e heton vrasjen e tij si një larje hesapesh.
Davella kishte marrë nënshtetësinë greke që nga viti 2009. Në të kaluarën dyshohet se ka marrë pjesë në një grup që zhvatnin para nga dyqanet për ti ofruar atyre mbrojtje. Ai po ashtu në muajt e verës jepte automjete me qira në ishujt grekë. Viktima duket se ka mbajtur marrëdhënie miqësore me persona të lidhur me mafien greke.
Ndërkohë, i plagosuri, për të cilin bëhet me dije se kishte mbërritur në Greqi nga Dubai, vetëm pak ditë më pare, është identifikuar si shtetasi Edi Lolo (46 vjeç).
Ai është dërguar në spital dhe gjendja e tij konsiderohet shumë e rëndë pasi ka plagë plumbash në kokë dhe në bark.
Në drejtim të dy shqiptarëve është hapur zjarr nga një makinë BMË I.X me ngjyrë të bardhë, që rezulton të jetë vjedhur në mëngjes në zonën e Patisias.
Burime policore për median greke Zougla.gr thonë se kemi të bëjmë me një ekzekutim mafioz. Ngjarja ka ndodhur jashtë një dyqani që ndodhet në kryqëzimin e rrugëve Aristoteli dhe Komotini. (A2 Televizion)