Në Gjykatën e Fierit do të zhvillohet sot seanca gjyqësore, ku adoleshenti me iniciale B. D , i cili mëngjesin e së premtes në ambientet e brendshme të gjimnazit “Mustafa Hoxha” në Cakran goditi 4 herë me mjet prerës shokun e klasës, do të njihet me masën e sigurisë.
Ai ra në prangat e policisë menjëherë pas ngjarjes. Mbi adoleshentin rëndon akuza “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Autori do të dalë para trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarja e gatshme për të mitur Klodiana Kryeziu, dhe Prokurore Oliana Gjergjefi e cila ishte e pranishme në shkollë edhe ditën e ngjarjes dhe në deklaratën për media ka pohuar se ngjarja është shumë e rëndë por ka garantuar hetim të plotë dhe të gjithanshëm.
Ndërkohë, mësohet se 17-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk dihet nëse ky detaj do të merret në konsideratë nga togat e zeza.
Sipas dëshmisë së të plagosurit Ydo Xhafa. konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale, ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që shtoi edhe më tepër shqetësimin për gjendjen e sigurisë në institucionet arsimore.
“Gjithçka nisi duke më bërë foto ai mua, familjes sime dhe shokëve të mi, gjithashtu dhe familjeve të atyre dhe që i kishte postuar në një rrjet social dhe i hidhte fotot në telefonat e shokëve të tij. Ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot. Dhjetë minuta para se të futeshim në mësim, ai ishte te korridori i klasës, ne vemi lart dhe e kapim për pjesën e fotove dhe i themi e sqarojmë si muhabet, nëse ke foto të familjarëve të mi dhe shokëve të mi mund ti fshish dhe e mbyllim këtë muhabet këtu. Ai tha jo, telefoni është personal dhe pastaj u agravua nga pyetjet e shumta që po i bënim unë dhe disa shokë. Më pas ai reagoi duke nxjerrë biçakun. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Thjesht u shmanga, u futa brenda në klasë, mbylla derën. Fatkeqësisht nuk e mbaja dot derën nga ana e shpatullës dhe hapi derën. E hapi sërish me thikë në dorë. Në ato momente vjen presorja dhe më shpëtoi nga ai djali”, tregoi nga spitali 17-vjeçari i plagosur. (A2 Televizion)