Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë "arrest ne burg" për Marklen Hakën.
Gjatë seancës Haka ka pretenduar se ditën kur ka ndodhur atentati ndaj Durim Bamit në 2020 ka qenë në një vend tjetër dhe se nuk ka lidhje me këtë ngjarje.
Po ashtu, ai ka pretenduar se nuk ka përdorur SKY ECC.
33-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2019 ai i shpëtoi një atentati ku mbeti e vrarë halla e tij Shpresa Basha, 50 vjeç e cila sipas dëshmive të deponuara mbrojti nipin e saj. Në qershor të vitit 2011, kur ishte vetëm 20 vjeç ai u arrestua si autor i vrasjes së një biznesmeni në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Pas marrjes në pyetje në polici Haka mohoi vrasjen, pasi tha se nuk ka qenë në Tiranë, ndërsa pas 1 muaji u lirua pasi nuk u arrit të provohej ngjarja e rëndë.
Në shtator të vitit 2018 Marklen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë kur forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës por operacioni i arrestimit ishte vetëm me akuzën e armëmbajtjes pa leje çka pas 1 viti i dha lirinë Hakës, transmeton A2.
Veç historikut të arrestimeve e atentateve Haka rezulton dhe në përgjimet e aplikacionit Sky. Sipas bisedave të përftuara nga prokuroria e posaçme 33-vjeçari ka pasur rolin e informatorit për lëvizjet e Durim Bamit. Haka kryesisht komunikonte me Emiljano Shullazin në mënyrë që të arrihej informacioni për vendndodhjen e Bamit dhe më pas eliminimin e tij. (A2 Televizion)