Trupi i pajetë i një gruaja është nxjerrë nga lumi Buna. Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Shkodrës dyshohet se gruaja është vetëmbytur.
Sipas policisë, rreth orës 16:25, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se një shtetase është hedhur në ujërat e lumit Buna. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Punonjësit e Policisë, me një varkë janë futur në lumë dhe kanë nisur kërkimet. Shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetases Sh. O., 63 vjeçe, banuese në lagjen "Dobraç", e cila dyshohet se është vetëhedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.
Nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, nuk janë konstatuar shenja dhune, si dhe nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo shtetase vuante kohët e fundit, nga depresioni.
Grupi hetimor në drejtimin e prokurorit, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Ngjarja e rëndë ndodh pak javë pasi Alma Arrazi u mbyt në të njëjtin lumë bashkë me 3 fëmijët e saj, dyshohet për shkak të problemeve me bashkëshortin, i cili vijon të qëndrojë në burg i akuzuar për “nxitje për vetëvrasje”. (A2 Televizion)