
Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Storm 17”, pas një hetimi 4-javor të zhvilluar me metoda speciale, në kuadër të goditjes së veprimtarive të paligjshme që lidhen me prostitucionin.
Gjatë operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, arrestuan në flagrancë 4 shtetase kineze: X. Ch. (48 vjeçe), J. L. (36 vjeçe), Y. L. (48 vjeçe) dhe L. Sh. (53 vjeçe).
Sipas hetimeve, këto shtetase kishin marrë me qira dy ambiente në zonën e Golemit dhe te Shkëmbi i Kavajës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 4 shtetas të tjerë nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova, të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi 4 pasaporta dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)