Organizator i vrasjes për “nder”, arrestohet në Britaninë e Madhe anëtari i grupit të Laert Haxhiut

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 16:40 | Kronikë

Organizator i vrasjes për “nder”, arrestohet në
Mbajtja nën vëzhgim për disa muaj me radhë në Britaninë e Madhe bëri që autoritet e huaja të arrestonin një shtetas shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje për arsye gjakmarrjeje.

Në pranga u vu 48 vjeçari Lorenc Lala, për të cilin autoritetet shqiptare kishin marrë informacione ne rrugë operative për vendndodhjen e tij. I cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Lala u prangos për arsye ekstradimi drejt vendit tonë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK, përveç vrasjes për gjakmarrje, edhe për “Sigurimi i mjeteve dhe kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e veçantë të bashkëpunimit, si dhe armëmbajtje pa leje.

Ai akuzohet se organizoi vrasjen e Albi Bashaliut në fshatin Gjocaj të Peqinit, në vitin 2021. Emri i Lorenc Lalës doli nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë shqiptare, Artan Tafani, anëtar i grupit të Laert Haxhiut.

Tafani rrëfeu më herët para hetuesve se për vrasjen e Albi Bashaliut kishte marrë 30 mijë euro, shumë kjo e cila ishte paguar nga Lorenc Lala. Sipas dëshmisë së Tafanit, porosinë për vrasjen e kishte dhënë Haxhiu ku pretendonte se i kishte thënë se krimi do të bëhej për nder, pasi babai i Albit i kishte vrarë të atin Lorencit.

Tashmë pas arrestimit të 48 vjeçarit, autoritetet shqiptare kanë kërkuar që ai të ekstradohet në vendin tonë e të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos