
Për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme kanë krijuar një realitet të ri në luftën ndaj pandëshkueshmërisë.
“Hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror nuk është më i pamundur. Kjo është një arritje kyçe. Arritje kyçe për shtetin e së drejtës, për Shqipërinë.”
Superlativat për SPAK-un, kreu i shtetit i pohoi para kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, të cilëve u tregoi përgjegjësinë që do të kenë për suksesin e reformës në drejtësi.
“Nuk mund të ketë sukses, nëse gjyqtarët dhe prokurorët e vendit nuk veprojnë, nuk i përkushtohen drejtësisë dhe nuk e mbrojnë atë si misionarë.”
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u kërkoi kandidatëve vetëdije dhe karakter nën peshën e pushtetit publik.
“Shqipëria ka investuar shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë, por, në fund, asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë se njerëzit që e zbatojnë atë.”
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nënvizoi se, pas një dekade reformë, magjistratët e ardhshëm kanë një detyrë.
“Ajo çfarë juve ju ka ngelur, besoj, dhe që është detyrë e lartë, por edhe e vështirë, është që standardet e Reformës të bëhen pjesë e kulturës së zakonshme të punës.”
Mesazhet e zyrtarëve u ndanë gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri akademik të Shkollës së Magjistraturës, pranë Polit të Drejtësisë, në kryeqytet (A2 Televizion)