“Kopjojmë Italinë, por nuk kemi infrastrukturë”, avokati: Sistemi i drejtësisë, në kolaps

Nga A2 CNN
4 Tetor 2026, 21:38 | Kronikë

Avokati Arbër Hoxhaj deklaroi se suprimimi i gjykatave të Apelit ka çuar në kolaps sistemin e drejtësisë.

“U suprimuan gjykatat e Apelit dhe u krijua vetëm një e tillë. Kjo ka sjellë shumë probleme dhe e ka kolapsuar sistemin. Ka vetëm 32 gjyqtarë, nuk ka ambiente për të gjykuar, ka vetëm 4 salla gjykimi penale. Edhe në kohën e komunizmit ka qenë më i lartë solemniteti i gjykimit. Kolapsimi i sistemit erdhi nga moskonsultimi. Është e vërtetë që Italia është e ndarë në 20 rajone dhe këto rajone kanë pothuajse popullsi sa Shqipëria dhe kanë vetëm një Gjykatë Apeli, siç është Pulja. Por, ne nuk kemi kapacitetet e Italisë”, tha Hoxhaj në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

“Mbi të gjitha ne nuk kemi infrastrukturën e Italisë. Vendi fqinj ka transport publik, ka trena e gjithçka tjetër. Ndërsa një qytetar nga Saranda duhet të bëjë 4-5 orë me makinë për të ardhur në Tiranë. Është hequr aksesi në drejtësi. Për mua, Prokuroria e Posaçme duhet të nisë procedim penal për anëtarët e KLGJ-së që kanë bërë këtë gjëmë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Duhet të hapen të paktën edhe dy gjykata të tjera, një në Shkodër e një në Vlorë”, shtoi avokati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos