
Burime zyrtare nga KE-ja nuk e shohin integrimin gradual, siç ishte propozimi Rama-Vuçiç për akses në tregun e brendshëm dhe zonën Shengen pa qenë anëtare, si një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë. Por BE-ja mbështet idenë e përfitimeve shtesë, vetëm në bazë të reformave.
A2 CNN mëson se Brukseli do të jetë i rreptë me Shqipërinë në fushën e sigurisë ekonomike dhe infrastrukturës kritike, me synimin për të shmangur investimet nga vende të treta në sektorë si mbrojtja apo infrastruktura e telekomunikacionit 5G. Bëhet fjalë për investime që më vonë, pas anëtarësimit, mund të dëmtonin interesat e BE-së.
Gjithashtu, Brukseli e bën të qartë se nuk do të mjaftohet vetëm me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por kjo punë do të monitorohet edhe nga vetë Brukseli. Sipas burimeve zyrtare, nuk është e mjaftueshme vetëm të votohet një ligj në Parlament apo nga qeveria; ligjet duhet të gjejnë zbatim dhe të respektohen.
Pas Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen, e cila pritet të vizitojë Tiranën në fund të nëntorit, pritet të mbërrijë në kryeqytet edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos. (A2 Televizion)