Nëntorin e vitit të shkuar ish-kryeministri, Sali Berisha, fitoi lirinë pas një qëndrimi 11-mujor në masën e “arrestit në shtëpi”, por nga 3 janari i vitit 2025 ndaj tij u caktua një masë e re sigurie, ajo e “detyrimit për paraqitje”.
Vendimi u shpall nga gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së SPAK për të kthyer në izolim shtëpiak ish-kryeministrin e akuzuar për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” gjatë procedurës së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Në sallën e gjyqit prokurorët e SPAK pretenduan se i pandehuri Berisha mund të intimidojë dëshmitarët ndërsa avokatët kërkuan lënien në fuqi të vendimit që shfuqizoi “arrestin shtëpiak” dhe la pa asnjë masë sigurie ish-kryeministrin. Apeli vendosi të ndryshojë vendimin e Shkallës së Parë, duke zëvendësuar masën, me detyrimin për paraqitje, shkruan A2.
Vendimi u cilësua si i pa kuptueshëm nga avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, i cili tha se Apeli i Posaçëm është një nga vagonët që lokomotivën e ka përtej gjykatës.
Masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” ish-kryeministrie mori edhe tetorin e vitit të shkuar, masë që nuk e zbatoi, ç’ka e çoi me tej në “arrest shtëpie”. Avokati Gjokuataj tha se nuk e dinte se si do të vepronte klienti i tij këtë herë.
Vendimi i Apelit urdhëron ish-kryeministrin Sali Berisha të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 10:00 dhe nëse ekzekutohet në kohë dhe pranohet të zbatohet prej tij, 6 janari do të jetë hera e parë që do të rikthejë në SPAK Sali Berishën. (A2 Televizion)