Jani Alia, 47-vjeçari që është dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm, pasi akuzohet për vrasjen e Elton Çiços në 2016, në një lokal në ish-Bllok në Tiranë, është vënë në pranga në këtë fillim viti.
Pas 8 vitesh në arrati, Alia, i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Athinë falë bashkëpunimit midis autoriteteve shqiptare dhe atyre greke.
“Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas. Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë”, njofton policia.
Ngjarja për të cilën akuzohet Jani Alia u zbardh nga autoritetet shqiptare falë gjurmëve të ADN-së nga bishti i cigares që 47-vjeçari e kishte hedhur në një kosh mbeturinash shumë pranë vendit të ngjarjes. (A2 Televizion)