Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të premte të rrëzojë kërkesën e SPAK për rikthimin në “arrest shtëpiak” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke vendosur një tjetër masë sigurie.
Apeli ka vendosur për ish-kryeministrin masën e sigurisë "detyrim paraqitje". Sipas këtij vendimi, Berisha do të duhet të shkojë në SPAK për tu paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore, 2 herë në muaj.
Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj është prononcuar për mediat pas seancës, duke sqaruar vendimin e Apelit të Posaçëm.
Gjokutaj tha se vendimi i sotëm është i paqartë, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë tjetër nga prokurori në seancë përveç asaj për rivendosjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
“Në një vendimmarrje të çuditshme Gjykata e Apelit mbi ankimin e prokurorit, me bazën e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për zotin Berisha vendosi kryesisht zëvendësimin masës. Ne jemi të paqartë me këtë vendim, për shkakun e vetëm sepse objekti i këtij gjykimi ishte kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkohë që nuk kishte një kërkim tjetër nga prokurori. As në sallën e gjyqit, ai i qëndroi arrestit në shtëpi. Nëse do të kishte kërkim nga prokurori, të gjendej rruga ligjore për zëvendësimin e masës së sigurisë, por nuk ishim në këto kushte”, tha Gjokutaj.
Ish-kryeministri Berisha u la i lirë një muaj më parë pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpie. Ai akuzohet nga SPAK si i përfshirë në dosjen “Partizani”, ku njëherësh i akuzuar është edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Prokuroria e Posaçme e mori të pandehur Berishën nën akuzën e korrupsionit pasiv. Ai akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv “Partizani”.
(A2 Televizion)