Me kërkesë të Prokurorisë, Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe përmes mashtrimit transferuan 11 milionë euro nga kompanitë guaskë jashtë vendit drejt Shqipërisë.
Në pranga u vunë Arlinda Marku 41 vjeçe nga Lezha dhe Darin Gezdari 34 vjeç nga Tirana. Ata rezultojnë pronarë të 10 kompanive fiktive, kryesisht në fushën e konsulencës, por që në të vërtetë vepronin për të bërë transferimin e parave.
Nga 10 kompanitë 7 ishin regjistruar në emër të Gezdarit dhe 3 të Marku. Nga hetimet ka rezultuar se brenda dy viteve, dy të arrestuarit bashkëpunuan për të krijuar kompani fiktive, nëpërmjet të cilave transferuan para me burime kriminale, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta, fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kanada.
Mësohet se ata kanë përdorur skemën e lojërave të fatit për transferimin e 11 milionë eurove. Nga hetimet dyshohet se kompania “GreenView Marketing” ka shërbyer si katalizator për pastrimin e parave duke lëshuar fatura fiktive dhe duke mos kryer asnjë shërbim dhe aktivitet ligjor shoqërive të huaja që shumica kanë aktivitet të kazinove dhe lojërave të fatit dhe më pas duke i transferuar në kompani jashtë Shqipërisë.
Sipas prokurorisë, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të parave. Në këtë skemë mashtrimi, ka dyshime se ka persona të tjerë të përfshirë, shqiptarë e të huaj, për të cilët kanë nisur hetimet për identifikimin e tyre. (A2 Televizion)