Për të dytën ditë radhazi pasi u transferua nga Dubai në Shqipëri, Plaurent Derivshaj, u përball me një trupë të Gjykatës së Posaçme, që i konfirmoi një masë sigurie “arrest në burg”. Kjo masë ishte dhënë në mungesë ndaj Dervishajt nga GJKKO, si një nga të akuzuarit për dy ngjarje të vitit 2005, ekzekutimit të ish-pjesëtarit të Bandës së Durrësit, Klodian Saliu në segmentin Durrës-Tiranë dhe atë të biznesmenit Vajdin Lamaj në kryeqytet.
Në sallën e gjyqit, Dervishaj mbajti qëndrim mohues ndaj akuzave, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me këto krime. Ndërkohë ai ka pretenduar shkelje të ligjit në sjelljen e tij në Shqipëri, duke thënë se nuk ka qenë as ekstradim dhe as deportim për rrëmbim personi.
Avokati i tij i tha gjykatës se më 6 gusht forcat Policore të Dubait kanë mësyrë në banesën e Dervishajt, ku i kanë thënë se jeta e tij ishte në rrezik. Ata e kanë përcjellë në një stacion policor ku është mbajtur i izoluar dhe nuk i është lejuar kontakt me avokatin. Gati 10 ditë më pas e kanë hipur në bordin e një avioni, që ka udhëtuar drejt Rinasit, ku është prangosur për llogari të urdhër-kërkimeve në emër të tij.
Procesi penal ndaj gjashtë të akuzuarve për dy vrasjet e vitit 2005, mes të cilëve Derivshaj, Lulëzim Berisha e Emiljano Shullazi në Gjykatën e Posaçme ndodhet në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të fundit të mbrojtes.
Të enjten, GJKKO la në fuqi masën e sigurisë për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçen, po ashtu i transferuar nga Dubai, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre për përfshirje në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, nëntorin e vitit 2019, ku u plagos prokurori dhe Aleksandër Laho dhe mbeti i vrarë shoferi i mjetit, Andi Maloku. (A2 Televizion)