“Për 5 minuta zjarri përfshiu të gjithë tregun”, flasin pronarët e dyqaneve në Durrës: Kisha 10 mln lekë mall, nuk shpëtoi asgjë

Nga A2 CNN
29 Qershor 2025, 18:16 | Kronikë

“Për 5 minuta zjarri përfshiu të gjithë tregun”,

Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, ku ndodhen mbi 20 dyqane që operojnë kryesisht gjatë sezonit veror.

Ngjarja është raportuar rreth orës 16:30 dhe sipas burimeve paraprake, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë pothuajse të gjithë tregun brenda pak minutash, shkruan A2 CNN.

“Për shkak të erës së fortë, zjarri u përhap për gati 5 minuta në të gjithë tregun. I kam ardhur në ndihmë njerëzve, si ata që i njoh dhe ata që nuk i njoh. Janë dëgjuar disa shpërthime të lehta në dyqanet e tregut. Në fillim ka ardhur vetëm një zjarrfikëse, më pas i telefonova që të sillnin edhe të tjera. Besoj se nuk u menaxhua si duhet. Zjarri vinte nga sipër dhe ata vazhdonin nga poshtë. Nuk u parandalua, po punonin në anën e kundërt,” është shprehur një qytetar që ka ndihmuar pronarët e dyqaneve.

Ndërsa një nga pronaret e prekur nga flakët është shprehur se ka humbur të gjithë mallin e saj: “Kisha 10 milionë lekë mall këtu dhe nuk kam arritur të shpëtoj asgjë. Na ra një fatkeqësi e madhe, nuk mundëm të shpëtonim asgjë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos