SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të dënojë me 5 vite burg ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, njëkohësisht ish-deputet i Partisë Socialiste.
Sipas Strukturës së Posaçme, Bllako duhet të shpallet fajtor për veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë e të zgjedhurve vendorë” në dy raste, gjatë lidhjes së kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës.
Përveç dënimit me burg, nga i cili i ulet një e treta prej gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi t’i hiqej e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare. Në pretencën e lexuar nga prokurori i posaçëm Dritan Prendi, u pretendua se Bllako ka kërkuar dhe përfituar në formë ryshfeti një shumë prej 7.5 milionë lekë dhe një tjetër prej 120 mijë euro, në këmbim të favoreve që i ka dhënë pronarëve de facto kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, që duhet të ndërtonte inceneratorin e Tiranës, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Nga pozitat e sekretarit të Përgjithshëm, Bllako ka ndërmjetësuar për emërimin e Vladimir Bezhanit si këshilltar të jashtëm në Ministrinë e Mjedisit. Bezhani në vijim i ka vënë në dispozicion Zotos e Mërtirit dokumentacion të ministrisë dhe po ai ju ka përpiluar propozimin e pa kërkuar për kontratën koncesionare.
Sipas SPAK, Bezhani është punësuar fiktivisht tek një kompani e Klodian Zotos duke siguruar vlerën prej 7.5 mln lekësh. Po sipas SPAK, shumën prej 120 mijë euro Bllako e ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Zoto e Mërtiri si pagesë për blerjen e një makinerie për fabrikën e pijeve të babait të ish-deputetit në Ersekë.
Alqi Bllako, i cili u gjykua i veçuar nga të akuzuarit e tjerë për inceneratorin e Tiranës është dënuar me vendim të formë së prerë nga Apeli i Posaçëm për shpërdorim detyre për inceneratorin e Elbasanit, me 2 vjet e tetë muaj burg.
Të njëjtin dënim ai mori edhe për inceneratorin e Fierit, por dosja është kthyer për rigjykim në shkallë të parë. (A2 Televizion)