Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Berat. Sipas njoftimit të AMP, njëri prej tyre dyshohet se ka qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë, mësohet se efektivi tjetër dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, shkruan A2.
“AMP (Rajoni Fier - Berat) ekzekuton vendimet për pezullimin e dy punonjësve të policisë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për punonjësin e policisë Inspektor B.D., 30 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Divjakë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga veprimet hetimore u dokumentua se punonjësi i policisë, ka qenë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Masa e sigurimit personal caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë A. Ç., 57 vjeç, me detyrë Ndihmës specialist i policimit në komunitet, në Komisariatin e Policisë Berat, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga hetimet e kryera është dokumentuar konstatimi i disa rasteve të ndërtimeve pa leje në Njësinë Administrative Velabisht, zonë përgjegjësie e këtij punonjësi policie, i cili ka lejuar vijimin e ndërtimeve të paligjshme”, njofton AMP. (A2 Televizion)