
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës - Dibër) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj dy punonjësve të policisë.
Këta punonjës dyshohen se kanë kryer veprën penale “shpërdorim i detyrës”.
Të pezulluarit janë inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër; dhe inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.
Caktimi i masave të sigurisë u bë në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë. (A2 Televizion)