
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 32-vjeçar të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje. A2 CNN raporton se në operacionin policor të koduar “Catch” është arrestuar Fatmir Bejo, i cili akuzohet për plagosjen me thikë të Mirel Ishkas në shkurt të vitit 2024, si edhe për disa vepra të tjera penale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Renda ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit Fatmir Bejo 32 vjeç, ndaj të cilit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” i dyshuar për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë. 32-vjeçari, me datë 12.02.2024, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin Mirel Ishka”, njofton policia.
A2 CNN raporton se Fatmir Bejo 32 vjeç, u arrestua për plagosjen me thikë të Mirel Ishkas në shkurt të vitit 2024 në një lokal te “Komuna e Parisit” dhe në dhunimin e pengmarrjen për disa orë në prill të 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Fela, për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.
Fatmir Bejo është përfshirë edhe në sherrin e ndodhur në Palasë ku mbeten të plagosur Tur Koçeku dhe Fatbardh Aliaj.
(A2 Televizion)