Kapiteneria e Portit të Vlorës mori njoftim nga anija e peshkimit MATTEO & MELISSA, me flamur shqiptar dhe me katër persona ekuipazh, për një rast urgjence shëndetësore gjatë zhvillimit të aktivitetit të peshkimit në perëndim të ishullit të Sazanit.
Një anëtar i ekuipazhit kishte shfaqur simptoma të mpirjes së dorës dhe këmbës së djathtë, si dhe tension të lartë të gjakut.
Pas marrjes së njoftimit, u kontaktua Qendra Kombëtare e Urgjencës dhe u sigurua mbërritja e ambulancës në portin e Vlorës, ku anija u akostua.
Personelit mjekësor iu dha mundësia të ofronte ndihmën e parë dhe më pas i sëmuri u transportua drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ekzaminime të mëtejshme. (A2 Televizion)