Me situatën e zjarreve që paraqitet e rëndë në vendin tonë, ku sipas Sistemit Evropian për Zjarret në Pyje deri më tani për vitin 2025 janë shkrumbuar 49 mijë hektarë pyje me 93 vatra zjarri të identifikuara, policia ka bërë edhe një bilanc të zjarrvënieve të qëllimshme të konstatuara prej tyre.
Sipas Bluve, në të gjithë vendin, përgjatë muajve qershor, korrik dhe deri sot, janë identifikuar 137 autorë të zjarrvënieve, nga të cilët 46 janë arrestuar, ndërsa 91 janë proceduar penalisht.
Policia bën me dije se Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat e Posaçme “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale, në drejtimin e drejtuesve të qarqeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, vijojnë të jenë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe duke mbështetur Emergjencat Civile dhe zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve.
Strukturat e policisë po ashtu po kontrollojnë dhe monitorojnë zonat me dronë, për të identifikuar në kohë personat që shkaktojnë zjarr, duke djegur pronën private, banesa, pyje, kullota dhe, në shumë raste, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve, punonjësve të Policisë, zjarrfikësve dhe Emergjencave Civile.
Policia e Shtetit ka dhe një apel për të gjithë qytetarët që të mos shkaktojnë zjarre, ndërsa ua bën edhe njëherë të qartë blegtorëve dhe fermerëve se ata janë përgjegjës për tokat dhe kullotat që kanë në pronësi apo në përdorim.
“Mos ndizni zjarr për djegien e mbetjeve të prodhimeve bujqësore apo për pastrimin e territorit, pa njoftuar dhe marrë masa me instancat përgjegjëse Shkaktimi i zjarrit, me qëllim apo nga pakujdesia, është vepër penale dhe Policia e Shtetit po punon, në bashkëpunim me banorët, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të gjithë atyre që shkaktojnë zjarre”, thuhet në apelin e uniformave blu. (A2 Televizion)