
Një incident është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Golem, ku një person me masë sigurie “arrest në shtëpi” ka kundërshtuar me forcë shërbimet e policisë, duke sjellë ndërhyrjen e efektivëve dhe përdorimin e armës së shërbimit në ajër për zbrapsje.
Sipas policisë, rreth orës 19:10, patrulla e Postës së Policisë Golem, gjatë kontrollit në territor, ka konstatuar shtetasin A. B., 38 vjeç, i cili ishte jashtë banesës, ndonëse ndodhej nën masë sigurie për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Efektivët i kanë kërkuar shpjegime dhe e kanë njoftuar se do të shoqërohej në Komisariatin e Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme, shkruan A2 CNN.
Në këtë moment, 38-vjeçari dhe kunati i tij, A. Sh., 23 vjeç, të ndihmuar edhe nga familjarë të tjerë, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë. Për të neutralizuar situatën, ndihmësspecialisti i zonës ka qëlluar një herë në ajër me pistoletën e shërbimit.
Në ndihmë kanë mbërritur shërbime të tjera policore, të cilat kanë bërë shoqërimin e personave të përfshirë, si dhe të shtetasit që kishte thyer masën e sigurisë. (A2 Televizion)