Kompozitori Adrian Hila është proceduar penalisht nga policia. Hetimi ndaj tij do vijojë në gjendje të lirë, ndërsa veprimet u morën pas publikimit të videove intime.
Mbrëmjen e së enjtes ai u mor në pyetje për sqarimin e ngjarjes, ku mësohet se ka pranuar se kishte vendosur kamera në vitin 2022 në ambient, por se ato nuk kishin më memorie për të ruajtur materiale.
Kamerat i kam vendosur për arsye sigurie, me qëllim mbrojtjen e pronës. Kamerat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online, pra mund të kontrolloheshin online.
Burimet thanë se dëshminë e ka dhënë dhe këngëtarja e njohur Eli Fara, e cila ka kërkuar nga policia të gjejnë autorin e shpërndarjes së videove.
Adi Hila nuk është personi që ka shpërndarë videot. Nuk ka pasur dijeni për kamerat në banesë. Nga organet e drejtësisë kërkoj që të gjendet autori që ka shpërndarë materialet.
Policia në prokurori ka referuar materialet dhe për veprën penale “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, veprim që u mor për shkak të vendosjes së kamerave. Hetimet, bëhet e ditur, po vijojnë për të gjetur autorin e përhapjes së videove. (A2 Televizion)