
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, Eric Wendt, ku në fokus ka qenë partneriteti mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Nufi theksoi se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë “krah për krah” për lirinë, sigurinë dhe paqen, duke e cilësuar SHBA-të si partner të pazëvendësueshëm të Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri.
“Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah - për lirinë, sigurinë dhe paqen. SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar. Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për Mbështetjen e Vendit Pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore. Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza - Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, thuhet në postimin e ministrit Nufi.
(A2 Televizion)