Gjykata e Posaçme dënoi me 4vite burg Gentjan Çollakun për nxitje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve me qëllime terroriste. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Çollaku do të kryejë vetëm 2 vite e 8 muaj burg ndërsa në konkluzionet e saj prokuroria e posaçme kërkoi dënimin me 4 vite e 6 muaj.
Gentjan Çollaku me origjinë nga Kavaja u arrestua nga anti-terrori pasi bënte thirrje për terrorizëm në rrjete sociale. Ai mbahej nën vëzhgim prej vitit 2021 nga agjentë të anti terrorit, ndërsa GJKKO pranoi kërkesën e SPAK dhe i caktoi masën e sigurisë arrest me burg.
Pas arrestimit të tij, hetuesit zbuluan se ai përdorte 16 profile të ndryshme në rrjetin social Facebook nga ku postonte thirrjet pro ISIS dhe kundër koalicionit global anti-terrorizëm. Në disa prej tyre ai shprehte pikëpamjet e tij pro shtetit islamik si dhe kërkonte ndaljen e luftës kundër tij, pasi sipas ISIS, thoshte ai ka luftëtarë të cilët do të rizgjohen. (A2 Televizion)