
Protesta e thirrur sot në orën 17:00 nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, e cila ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm, duke vendosur efektivë jo vetëm te kryeministria, por edhe te parlamenti dhe institucione të tjera. Burime për A2 CNN nga policia bëjnë me dije se do të ketë masa shtesë me më shumë efektivë, ku rreth 1400 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe strukturave të tjera do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA në rast nevoje.
Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe autobotë me ujë që do të qëndrojnë pas kryeministrisë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh, por edhe te parlamenti.
Ashtu si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, të cilët do të jenë të shumtë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Gjithashtu rrugët rreth kryeministrisë do të bllokohen që prej orës 15:00 deri në përfundim të protestës.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka zhvilluar mbledhje për protestën duke qenë e angazhuar maksimalisht. Në mbledhje kanë qenë të gjithë drejtuesit e policisë së Tiranës dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Në mbledhje janë dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Efektivëve u është kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu u është kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara me protestuesit. (A2 Televizion)