Protesta për Martinin, prindërit kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit

Nga Ornela Joti
21 Nëntor 2024, 18:39 | Kronikë

Pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, komuniteti i prindërve kërkon siguri për fëmijët në institucionet arsimore dhe dorëheqjen e ministres së arsimit.

Në sloganin “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, shumë prindër, gjyshër, bashkëmoshatarë dhe shokë të adoleshentit të vrarë morën pjesë në një protestë homazh. Marshimi nisi nga shkolla “Fan Noli” dhe u ndal para ministrisë së arsimit. Prindërit dhe përfaqësues të shoqërisë civile akuzuan ministrinë për mungesën e sigurisë në shkolla. Ata kërkuan me forcë dorëheqjen e ministres së arsimit.

Edhe nxënësit e klasës 9A, shokë të Martinit, morën pjesë në protestë. Ata shprehen të tronditur dhe thonë se kanë vështirësi të kthehen në shkollë për të vazhduar mësimin. Ata gjithashtu kanë theksuar se në këto ditë të vështira nuk janë ofruar shërbime psikologjike. Gjatë protestës, nëna e Martin Canit dërgoi një mesazh për prindërit dhe shoqërinë shqiptare.

Protestuesit hodhën vezë në drejtim të ministrisë së arsimit, dhe me duar të lyera me bojë të kuqe, lanë gjurmë mbi muret e ministrisë për të treguar përgjegjësinë e këtij institucioni për ngjarjen. Pas dy orësh tubimi, prindërit deklaruan se do të rikthehen në protesta, jo për cilësinë e librave dhe mësuesve, por për sigurimin e jetës së fëmijëve brenda dhe rreth shkollës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos