
“Pse më ke zënë rrugën, duhet të kaloj unë i pari!” Kjo fjali e thjeshtë ndezi një konflikt mes dy të miturve në shkollën private 9-vjeçare ‘Dea 2001’, në lagjen nr.3, Sarandë, mëngjesin e kësaj të mërkure, ende para nisjes së procesit mësimor.
Burimet bëjnë me dije se 13-vjeçari Santiago Gerdhuqi, i njohur si problematik dhe me sjellje të paqëndrueshme në shkollë, u përfshi fillimisht në një debat verbal me 15-vjeçarin Rajan Haderi. Grindja nisi për një arsye të thjeshtë: të dy nxënësit nuk ranë dakord se kush duhet të kalonte i pari në oborr.
Situata degjeneroi shpejt. Sipas burimeve, Santiago nxori një mjet prerës, thikë që e mbante me vete dhe goditi Rajanin në pjesën e qafës, duke shkaktuar një plagë serioze. I plagosuri mori menjëherë trajtim mjekësor në spital, dhe fatmirësisht pas trajtimit u largua nga ambientet spitalore. Ndërkohë, Santiago u largua menjëherë nga shkolla, duke e lënë situatën të tensionuar dhe duke alarmuar stafin dhe nxënësit e tjerë, shkruan A2 CNN.
Burimet pranë ngjarjes bëjnë me dije se Santiago ka pasur më parë probleme disiplinore dhe sjellje problematike, çka ka bërë që stafi i shkollës të jetë gjithmonë i vëmendshëm ndaj tij. Incidenti ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në ambientet shkollore dhe për menaxhimin e rasteve të dhunës mes nxënësve.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe po punon intensivisht për kapjen e 13-vjeçarit. (A2 Televizion)