Plagosja e “Gucci-t të TikTok-ut”, shpallen në kërkim 3 persona

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 12:06 | Kronikë

Plagosja e “Gucci-t të TikTok-ut”, shpallen në kërkim

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 3 persona në lidhje me plagosjen e Fabion Kuçit një ditë më parë, të njohur edhe si Gucci në rrjetin social TikTok.

“Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi plagosjen me armë zjarri të shtetasit F. K., sqarojmë se si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A. N., 38 vjeç, banues në Durrës, F. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 34 vjeç, banues në Durrës”, tha policia.

“Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, rreth orës 23:45 të datës 15.12.2025, janë afruar me 2 automjete, te lokali në lagjen nr. 9, ku qendronte shtetasi F. K., dhe kanë qëlluar drejt tij, me armë zjarri. Si pasojë, shtetasi F. K. është dëmtuar lehtë”.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se është pronar i njërit prej automjeteve, me të cilat u afruan në vendngjarje, shtetasit e shpallur në kërkim. Nga kontrolli në banesën e 31-vjeçarit, u gjetën disa fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Punohet intensivisht për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos