“Pse nuk më jep dorën?” Si nisi sherri me armë në lokalin plot në Tiranë

Nga A2 CNN
17 Prill 2025, 15:03 | Kronikë

Disa persona të gjithë të njohur me njëri-tjetrin ishin ulur në një restorant në Tiranë, por darka u kthye në sherr me armë mes tyre dhe për pak sa nuk përfundoi në viktima, duke rrezikuar edhe klientët e tjerë të lokalit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës pranë Liqenit Artificial.

E paqartë në fillim, dinamika e ngjarjes u zbardh orë më vonë nga policia vetëm në sajë të kamerave të sigurisë të lokalit dhe dëshmive të të shoqëruarve. Shkaku mësohet të ketë qenë fare banal, një mosdhënie dore që është marrë si mungesë respekti, çka ka çuar në degjenerimin e debatit me sharje, me shishe e sende të forta.

Për një moment, 51-vjeçari tashmë i shpallur në kërkim merr armën nga makina që e kishte parkuar pranë lokalit dhe e qëllon mikun e tij 40-vjeçar me qytë e më pas një e shtënë në dysheme. Fatmirësisht nga përdorimi i armës nuk pati të plagosur, por vetëm një person është lënduar nga goditjet me sende të forta.

Pas sherrit protagonistët janë larguar me disa makina me shpejtësi nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar policisë. Në komisariat janë shoqëruar 10 persona, mes të cilëve edhe pjesëtarë të sherrit, si dhe dëshmitarë okularë. Në përfundim të veprimeve hetimore, policia arrestoi 8 persona, të akuzuar për moskallëzim krimi. Në lokal u sekuestrua edhe arma tip pistoletë, ndërsa poseduesi i saj një 51-vjeçar vijon të jetë në kërkim.

Të arrestuar

Kasem Stani (Pasha)

Emiljan Ruko

Bjorni Tahiraj

Eriald Tahiraj

Denikiajder Tahiraj

Eduart Sulaj

Kastriot Stani

Elton Ajredinaj (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos