Policia e Shkodrës ka arrestuar një 41-vjeçar, i cili një ditë më parë, në fshatin Dobraç, kanosi fqinjin e tij, duke qëlluar me armë zjarri pistoletë, shkruan A2 CNN.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale që po kryhen nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në drejtimin e Prokurorisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. J., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, tha policia.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit S. J., shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak dhe shuma parash të valutave të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit pistoletë të dyshuar të përdorur për kanosjen. (A2 Televizion)