Policia e Tiranës thotë që ka identifikuar personin i cili qëlloi me armë zjarri në ajër më 1 janar, teksa po festonte Vitin e Ri, shkruan A2 CNN.
“Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen. Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij”, tha policia.
Sipas autoriteteve, nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorit të dyshuar. (A2 Televizion)