Të shtëna me armë zjarri drejt lokalit në Fushë-Krujë, hetimet shtrihen në disa pista

Nga Xhensila Kodra
20 Qershor 2025, 11:37 | Kronikë

Të shtëna me armë zjarri drejt lokalit në

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak pas mesnate në fshatin Halilaj të Fushë-Krujës.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në fasadën e jashtme të një lokali, shkruan A2. Është qëlluar me armë zjarri drejt lokalit dhe hotelit që ndodhet mbi të. Fatmirësisht, në momentin e sulmit nuk ka pasur turistë apo pushues në hotel. Shenjat e plumbave janë të dukshme në fasadë, ndërsa disa prej tyre kanë depërtuar deri në banak.

Lokali është në pronësi të Mondi Vogës, i cili ka qenë shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Pronari i lokalit ka qëndruar i rezervuar gjatë marrjes në pyetje, pa dhënë detaje apo dyshime mbi autorët e mundshëm.

Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë në disa pista, për shkak të konflikteve të shumta që pronari ka pasur në të shkuarën. Një ndër pistat kryesore që po shqyrtohet lidhet me një konflikt për çështje pronësie, megjithatë nuk jepen ende detaje të plota.

Autorët dyshohet se kanë dalë nga zona e pyllëzuar dhe kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa mbanin kapuçë në kokë për të fshehur identitetin. Pas atentatit, ata janë larguar në këmbë në drejtim të pyllit, por nuk përjashtohet mundësia që më pas të jenë ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar me automjet.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos