
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë, në orët e paradites, në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga një kope qensh endacakë, të cilët gjenden në mënyrë të përhershme në këtë zonë dhe në rrugët e qytetit.
Fëmija ndodhej në shëtitore së bashku me familjarët, kur është rrethuar dhe kafshuar nga qentë, duke përjetuar momente paniku. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa familjarët kanë bërë denoncim pranë autoriteteve, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ka tronditur qytetarët dhe ka rikthyer në vëmendje problematikën serioze dhe të përsëritur të qenve endacakë, të cilët shihen çdo ditë në shëtitore, rrugë, lagje dhe pranë institucioneve publike, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për fëmijët dhe kalimtarët.
Të shqetësuar dhe të indinjuar, qytetarët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit, duke kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme për garantimin e sigurisë publike. (A2 Televizion)