Klodian Braho merr zyrtarisht detyrën, falënderon ndërkombëtarët: Jemi zotuar ndaj Kushtetutës dhe shqiptarëve

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2025, 10:16 | Kronikë

Klodian Braho mori zyrtarisht stafetën nga Altin Dumani, duke u bërë drejtuesi i tretë i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, përcjell A2 CNN. Në fjalën e tij në ceremoninë e zhvilluar të hënën, Braho falënderoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë për besimin dhe vlerësimin e treguar, duke e përzgjedhur në krye të SPAK.

“Marrja e kësaj detyre, më shumë se një moment simbolik, është një angazhim për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK-ut dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë, SPAK-u është konsoliduar si një strukturë solide e ndjekjes penale”, tha Braho, përcjell A2 CNN.

Ai vlerësoi dy drejtuesit e mëparshëm të institucionit, Arben Kraja dhe Altin Dumani. “Dëshiroj të vlerësoj paraardhësin në detyrë, zotin Kraja, për kontributin e tij në momentet e para të ngritjes së institucionit dhe për punën në vendosjen e grupeve të para që i dhanë formën që ka sot, si dhe zotin Dumani për guximin dhe integritetin e tij, duke forcuar profilin e SPAK-ut dhe duke rritur besimin e publikut”, tha Braho.

Ai shpalosi shkurtimisht edhe platformën e tij. “Në ushtrimin e kësaj detyre, fokusi im, siç edhe kam përmendur përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës së tyre. Byroja Kombëtare e Hetimit dhe sektori i hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK-ut. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i bazuar në besimin reciprok mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet, duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun, duke respektuar kornizën ligjore. Të nderuar kolegë, misioni i SPAK-ut shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe do të punojmë krah për krah me përkushtim në përmbushje të zotimit tonë ndaj Kushtetutës dhe ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha Braho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos