
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se sulmi me dron detar kundër një korvete ruse ka pasur si pikënisje territorin shqiptar.
Përmes një deklarate zyrtare, ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se nuk pasqyrojnë faktet.
Sipas diplomacisë shqiptare, Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
REAGIMI
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar. Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë. I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë. (A2 Televizion)