Halimi Foundation Institute, me mbështetjen e Ambasadës së Holandës, sjellin në ekranin tonë “University Law Competition”, edicioni 3.
PROCESI është arenë e juristëve të së ardhmes dhe do të transmetohet gjatë muajit gusht çdo të hënë, të mërkurë e të enjte në orën 21:00, nën moderimin e Armand Bajramit, gazetarit të çështjeve të drejtësisë në A2CNN.
Në 10 puntata përballën studentët e drejtësisë nga universitetet e trojeve shqiptare për çështje që i bëjnë jehonë proceseve të ngjashme në shkallët e drejtësisë sonë. Ato lidhen me korrupsionin, me krimin e organizuar dhe ekstradime të ndërlikuara, me çështje të mprehta familjare, si testamente që nuk shkojnë tek fëmijët apo të birësuar që mbeten të vetëm për shkak të prishjes së strukturës së familjes. Vend të rëndësishëm zënë edhe çështjet mjedisore dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, të mbrojtura nga UNESCO, apo konfliktet e kompanive me bankat.
Argumentet në këto gjyqe të simuluara do të peshohen nga një trupë gjyqësore profesionistësh. Të njëjtët do të vlerësojnë jo vetëm zgjidhjen e çështjes gjyqësore, por edhe mënyrën e paraqitjes në debat dhe qasjen e secilës palë ndaj kundështarit apo gjykatës. Na besoni, me konkursin e organizuar nga “Halimi Foundation Institute” do të njihni studentët absolutisht më të mirë të drejtësisë.
Këtë të hënë, në orën 21:00, “University Law Competition” nis me PROCESIN: “Korrupsioni”-si e shkuara të përndjek në internet.
Mos e humbni një përballje tepër interesante mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Tiranës. Në themel është një ish-deputete e Parlamentit të Kosovës, e akuzuar dikur për korrupsion. (A2 Televizion)