Rrëmbimi i Jan Prengës, Rexhepi: “Nuk e njoh Altin Hajrin”. Prokuroria i nxjerr bisedat

Nga Armand Bajrami
23 Prill 2025, 16:55 | Kronikë

Dritan Rexhepi i akuzuar nga Spak si personi që ka organizuar dhe urdhëruar rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës në janar të vitit 2020 dëshmoi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai mohoi të kishte njohje për personin e rrëmbyer, apo në lidhje me kapjen e një ngarkese droge të fshehur në një kontejner në Angli. Dritan Rexhepi, i njohur edhe me emrin Gramoz që në hyrje të deklaratës së tij nuk kurseu ironitë me prokurorët e çështjes.

“Ju keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë. Në vitin 2019 ndodhesha në burg në Ekuador i dënuar për trafik droge. Nga familjarë të mi dhe nga mediat shqiptare mësova për një ngarkesë të kapur me drogë dhe më pas për një person të rrëmbyer. Nuk jam unë personi që ju akuzoni. Në audiopërgjim flitet për një Gramoz nga Vlora. Në Vlorë janë 500 Gramoz, tek unë e gjetët? Nuk kam asnjë dijeni dhe lidhje me rrëmbimin e këtij personi”.

Për llogari të hetimit, Rexhepi u pyet  nëse kishte njohje ose jo me Altin Hajrin, apo nëse gjatë kohës që ndodhej në burg në Ekuador ka përdorur aparate celularë dhe nëse ka komunikuar në aplikacionin SkyEcc.

“Altin Hajri? Jo, nuk më thotë gjë ky emër. Në burg kam komunikuar vetëm nëpërmjet kabinave telefonike, nuk kam pasur celular. Nuk hynin në punë telefonat aty se nuk punonin antenat. Sky Ecc nuk kam përdorur kurrë dhe nuk kam komunikuar me asnjë person për rrëmbimin e Jan Prengës”.

Por gjithçka u përmbys kur prokuroria i dorëzoi gjykatës prova të reja, komunikime mes Altin Hajrit dhe Dritan Rexhepit të bëra në SkyECC. Sipas Prokurorisë këto komunikime i përkasin vitit 2020 dhe në to është folur në lidhje me rrëmbimin e Jan Prengës.

Organi akuzës dyshon se rrëmbimi dhe zhdukja e tij është bërë me urdhër të Rexhepit pasi ky i fundit akuzonte një nga vëllezërit e Prengës për kapjen e kontejnerit me drogë. Seanca e radhës u shty për në datë 7 maj, ku prokuroria kërkoi shoqërim të detyrueshëm për të dëshmuar një tjetër i pandehur, Aldo Manjishta. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos