Sa organizata kriminale kemi? SPAK thotë se ka 16 grupe, policia deklaron se goditi 40

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 17:28 | Kronikë

Çdo ditë e më shumë po flitet për grupe kriminale shqiptare që nuk veprojnë vetëm në vendin tonë por, edhe jashtë territorit.

Por sa grupe kriminale janë të tilla? Në raportin vjetor 2024 të Prokurorisë së Posaçme SPAK citohet se janë identifikuar të paktën 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për 10 prej tyre është provuar veprimtaria kriminale, thotë SPAK, grupe të cilat kanë përdorur metoda të sofistikuara përfshirë komunikimet e koduara si SKY ECC dhe pastrimin e parave përmes kriptovalutave.

Por nëse flasim për raportin e Policisë së Shtetit, në vend gjatë vitit të kaluar thuhet se janë goditur 40 grupe kriminale.

Të dy institucionet shprehen se kryesisht këto grupe kriminale janë të përfshirë në trafikun e drogës.
Juristi Arbër Hoxha thotë se në statistikat e Policisë së Shtetit nuk mund të quhen në statistikë grupet penale, si grupe kriminale.

Hoxha shpjegon pse një grup personash që shpërndajnë lëndë narkotike në shkolla nuk mund të klasifikohet si grup kriminal.

Eksperti Fatjon Softa thotë se grup kriminal mund të quhen jo vetëm shpërndarësit e drogës në shkolla, por edhe ata persona që më shumë se tre veta kryejnë trafik armësh apo edhe ushtrim prostitucioni.

Grupet kriminale veprojnë në disa qytete të vendit, si në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos