
Një operacion i zhvilluar pas një hetimi tre mujor ka çuar në pranga tre persona të dyshuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, ndërsa janë sekuestruar në total 459 gramë kokainë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës, në bashkëpunim me strukturat e hetimit të krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizoi operacionin që çoi në arrestimin e shtetasve A.I., E.K. dhe H.E.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 677 të vitit 2025, të regjistruar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, shkruan A2 CNN.
Gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, përfshirë blerjen e stimuluar, ku u sekuestruan fillimisht 12.5 gramë lëndë e dyshuar kokainë. Në vijim të operacionit të zhvilluar sot, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 459 gramë të tjera lëndë të dyshuar kokainë. (A2 Televizion)