Sekuestrohet apartamenti në Lungomare, dyshohet se i përket Ilir Beqajt

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 14:18 | Kronikë

Sekuestrohet apartamenti në Lungomare, dyshohet se i përket Ilir

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë vendimin për të sekuestruar një apartament në Lungomare, Vlorë, që dyshohet se është në pronësi të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Hetimet për këtë pasuri po kryhen në kuadër të procedimit penal nr. 190, të nisur në vitin 2023.

SPAK ka identifikuar këtë apartament si të lidhur me ish-ministrin dhe ka ngritur dyshime për mungesën e deklarimeve të ligjshme të pronësisë ose shpenzimeve për investime dhe mobilim nga ana e personit nën hetim, Ilir Beqaj, dhe të afërmve të tij. Ky objekt u kontrollua me vendim gjykate në korrik të vitit 2024, duke sjellë të dhëna të rëndësishme për hetimin, shkruan A2.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023.

Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.  

Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim I.B apo personat e lidhur me të.

 Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.
Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim I.B dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.
Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e I.B). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim I.B dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.
Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

1.      Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

2.      Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim I.B. 

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës”, njofton SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos