Gjykata e Posaçme shpall vendimin përfundimtar për inceneratorin e Tiranës. Lefter Koka është dënuar me 3 vjet burg (2 vjet pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar) si dhe i është hequr e drejta e funksioneve publike për 5 vite, shkruan A2 CNN.
Të dënuarit e tjerë:
Bledar Karoli: 3 vjet burgim (2 vjet burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, i shuhet masa “arrest në burg” nëse nuk është i ndaluar për çështje tjetër.
Erjon Murataj: 3 vjet burg / 2 vjet burgim
Taulant tushe: 3 vjet burg / 2 vjet burg (Shuarje të masës, nëse nuk ka masë sigurie për çështje tjetër) dhe i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Namik Simixhi: 3 vjet burg / 2 vite burg dhe i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Valbona Ballgjini: 3 vjet burg / 2 vjet burg. Pezullim i ekzekutimit, shërbim prove sa 2-fishi i pjesës së mbetur të dënimit. Heqje e “arrestit në shtëpi”, i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.
Sidita Kopliku: 1 vit e 6 muaj burg/ 1 vit burg. Pezullim dënimi, konvertim në 80 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.
Jetmir Llapaj, pafajësi.
SPAK kishte kërkuar 4 vite burg për ish-ministrin u kërkuan 4 vite burgim. Në një gjykim të veçuar, për këtë çështje u shpall fajtor më parë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Ai u dënua me 4 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, do t’i duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj burgim. Përveç dënimit me burg gjykata dha edhe dënim plotësues, që Alqi Bllako të mos ushtrojë asnjë funksion publik për një periudhë 5-vjeçare.
Për çfarë akuzohej Koka nga SPAK?
Sipas SPAK, ish-ministri dhe ish-zyrtarët e pandehur të ministrisë së Mjedisit kanë ndihmuar shoqërinë “Integrated Energy BV” të zotëruar nga Klodian Zoto, që të pajisej me dokumentacionin e nevojshëm para dhe pas procedurës koncesionare, me qëllim që të shpallej fituese. Hetimi ka zbuluar komunikim mes tyre dhe dijeni nga shoqëria për dokumentacionin e nevojshëm para se të paraqitej propozimi i pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit.
Inceneratori i Elbasanit
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi ish-ministrin Koka me 10 vite burg, duke ia ulur në 6 vite e 8 muaj burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa Alqi Bllako u shpall fajtor dhe është dënuar për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj.
Për këtë çështje, Klodian Zoto u dënua në mungesë me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burgim. I njëjti dënim në mungesë u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja, e arrestuar pak kohë më parë në Vjenë, u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite.
Inceneratori i Fierit
Në dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit prish vendimin për inceneratorin e Fierit dhe e rikthen për rigjykim në shkallë të parë. Në shtator të vitit 2023, Gjykata e Posaçme kishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Ish-deputeti Bllako ishte fajësuar vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “pastrim të parave”. (A2 Televizion)