Byroja Kombëtare e Hetimit ka dalë në një reagim zyrtar për incidentin e mbrëmjes së kaluar në zonën e Fierit, ku u përfshinë disa oficerë të saj dhe operacionales me familjarë të ish kreu të bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj.
BKH konfirmon ngjarjen duke thënë se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit u sulmuan në qarkun e Fierit.
“Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier”, shkruhet në njoftim.
Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier.
SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm.
Agron Kapllanaj i kontaktuar nga A2 CNN ka pohuar incidentin që ka ndodhur pranë zyrave të subjektit të tij politik dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.
Në një bisedë telefonike ish-kryebashkiaku i Mallakastrës ka pohuar se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet i pa loguar rreth orës 18:00 dhe prej andej ka ngritur një dron. Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës.
“Kur ka shkuar roja i objektit për të kërkuar shpjegime se përse po ngrenë dronin nga parkimi i zyrave të tyre një prej agjentëve i ka thënë se ‘po kërkojnë të blejnë një pronë’, ndërsa më pas e ka ofenduar me fjalë të rënda”, pretendon Kapllanaj.
Pas debatit agjentët janë larguar me mjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt. Më tej Kapllanaj sqaron se pak minuta më vonë kanë arritur që ti ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të Kapllanajt.
Kundërshtuan agjentët e BKH dhe të Operacionales, shoqërohen në polici njerëz të afërt të Agron Kapllanajt
Por sipas këtij te fundit në asnjë moment nuk u është thënë që janë agjent të BKH. Siç pohoi ai të afërmve të tij u është nxjerr dhe armë në formë kërcënimi dhe vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH.
Në këtë moment kanë mbërritur edhe forcat e policisë dhe kanë ulur gjakrat, ku kanë bërë shoqërimin e dy nipërve të Kapllanajt dhe zyrtarit të subjektit politik. (A2 Televizion)