Prokuroria e Posaçme ka lexuar këtë të mërkurë pretencën e saj për të akuzuarit për dosjen “Sterilizimi.
Për Klodian Rjepaj SPAK kërkon 10 vjet burg / për shkak të gjykimit të shkurtuar, 6 vjet e 8 muaj.
Për Ilir Rrapaj, kërkon 10 vjet burg / për shkak të gjykimit të shkurtuar, 6 vjet 8 muaj.
Për Marsela Serjanajn SPAK kërkon 3 vjet 6 muaj / për shkak të gjykimit të shkurtuar, 2 vjet 4 muaj.
Për Sajmir Kadiun kërkon 3 vjet 6 muaj / për shkak të gjykimit të shkurtuar, 2 vjet 4 muaj
Për Petref Mersinin 3 vjet 6 muaj/ për shkak të gjykimit të shkurtuar, 2 vjet 4 muaj dhe pezullim, 4 vjet Shërbim Prove.
Për Arben Gjatën kërkon 1 vit 4 muaj burg, pezullim dhe shndërrim, 3 vjet Shërbim Prove.
Për Genc Byrazerin kërkon dënimin me 2 vjet Shërbim Prove.
Për Naile Ajazin kërkon dënimin me 1 vit 4 muaj, 2 vjet Shërbim Prove.
Ky proces penal po zhvillohet i ndarë nga ai i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndryshe nga tetë të pandehurit e tjerë që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, Beqaj ka zgjedhur të përballet me një proces gjyqësor të zakonshëm, shkruan A2 CNN.
Veçimi i dosjes ndau në dy gjykime të ndryshme edhe ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin, Ilir Rrapaj, të akuzuar si anëtarë të grupit kriminal të ish-ministrit. Akuza ndaj të treve u rikualifikua gjatë shqyrtimit paraprak, me sugjerim të gjykatës, pasi më herët SPAK kishte kërkuar gjykimin e tyre për “shpërdorim të detyrës”, e njëjta akuzë për të cilën po gjykohen gjashtë të pandehurit e tjerë.
Ndërsa çështja penale ndaj Beqajt do të rihidhet në short. Sipas SPAK, veprat penale nga të akuzuarit e dy çështjeve janë konsumuar gjatë lidhjes së kontratës 100 milionë euro të Sterilizimit. Ish-ministri Beqaj dyshohet të ketë nënshkruar kontratë në kundërshtim me ligjin, bazuar në të dhëna të pavërteta në studimin e fizibilitetit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit. (A2 Televizion)